Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj dy punëtorëve për shitje ilegale të biletave në festivalin “Sunny Hill”

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Roland Gashit dhe Urim Sylejmanit, të cilët akuzohen për shitjen ilegale të biletave gjatë festivalit “Sunny Hill” që u mbajt vitin e kaluar në kryeqytet.
Sipas aktakuzës, më 28 korrik 2024, të pandehurit, në cilësinë e punëtorëve përgjegjës për skanimin e biletave në hyrjen “VIP” të festivalit, kanë keqpërdorur autorizimet e tyre dhe kanë shitur bileta në mënyrë të jashtëligjshme, duke shkaktuar dëme materiale festivalit në vlerë prej 2,090 eurosh.
Roland Gashi akuzohet se ka përvetësuar për vete 2,040 euro nga shitja e 33 biletave, ndërsa Urim Sylejmani është akuzuar për përvetësimin e 50 eurove nga shitja e një bilete.
Festivali “Sunny Hill” përfaqësohet nga Visar Breznica, ndërsa veprimet e të pandehurve klasifikohen si vepër penale “Keqpërdorimi i besimit” sipas nenit 330, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Hetimet dhe procesi gjyqësor pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.