Prokuroria ngre aktakuzë ndaj katër personave për mashtrim, shmangie tatimi dhe pastrim parash

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, G.G, T.G, N.G dhe M.G, për përfshirje në veprime të ndryshme penale, përfshirë mashtrim, shmangie nga tatimi, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike dhe pastrim parash.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, G.G dhe T.G dyshohen se nga tetori i vitit 2020 deri më 16 gusht 2024, kanë mashtruar 131 qytetarë duke u premtuar ndërtimin e villave prej druri brenda 60 ditëve, me çmime promocionale. Megjithëse kishin lidhur kontrata me viktimat, ata nuk kanë ndërtuar asnjë vilë.
Të akuzuarit dyshohet se shumën prej 1,894,250 euro të përfituar përmes mashtrimit, e kanë përdorur për të blerë pasuri të paluajtshme, të cilat janë regjistruar në emër të tyre personalisht, në emër të biznesit dhe të bashkëshortes së njërës palë të pandehurve.
G.G dhe T.G do të përballen me akuza për veprat penale të “Mashtrimit”, “Shmangies nga Tatimi” dhe “Keqpërdorimit të Autorizimeve Ekonomike”. Ndërkaq, N.G dhe M.G janë akuzuar për “Pastrimin e Parave”, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.