Kosova

Prokuroria në Pejë ngre aktakuzë për grabitjen e një pompe derivatesh

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, me inicialet L.B., L.M., F.M. dhe Sh.Gj, për veprën penale të grabitjes, ndërsa ndaj të pandehurit L.M. edhe për mbajtje të armës pa leje.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 21 maj 2025, rreth orës 23:35, në qytetin e Pejës, kur të pandehurit, duke vepruar si grup i organizuar, kanë grabitur pompën e derivateve “DHF”. Ata fillimisht kanë siguruar një armë të gjatë dhe me veturën Golf II të njërit prej të pandehurve kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Të maskuar dhe të armatosur, ata kanë hyrë në marketin e pompës së derivateve, ku nën kërcënimin e armës i kanë marrë punëtorit shumën prej 905 eurosh.

Pas grabitjes, të pandehurit janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe paratë e marra i kanë ndarë përgjysmë, ka njoftuar Prokuroria.

Në aktakuzë, prokurori i rastit ka kërkuar jo vetëm dënimin e tyre, por edhe konfiskimin e veturës, parave të gjetura prej 575 eurosh, si dhe të armes së përdorur. Po ashtu, është propozuar që të lëshohet urdhër për kompensimin e dëmit ndaj kompanisë së dëmtuar.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button