Kosova

Prokuroria kërkon paraburgim për ish-drejtorin e Policisë në Prizren dhe tre të tjerë për detyrim dhe armëmbajtje pa leje

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar paraburgim ndaj katër të arrestuarve, përfshirë ish-drejtorin e Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi, i cili aktualisht është zyrtar policor, nën dyshimin për veprat penale detyrim, armëmbajtje pa leje dhe ikje nga takimi.

Sipas Prokurorisë, gjatë muajve nëntor-dhjetor 2024, Liman Sallauka, Xhevat Sallauka, Nexhmi Krasniqi dhe Ramadan Paçarizi dyshohet se kanë vepruar si grup i organizuar, duke ushtruar presion dhe kanosje ndaj të dëmtuarit E.M., për ta detyruar që të heqë dorë nga një pronë në Lubizhdë. Pas presionit, prona u shitet Ramadan Paçarizit me 250 mijë euro, shumë më pak se vlera reale prej rreth gjysmë milioni euro.

Prokuroria thekson se nga shumën e marrë, 10 mijë euro i janë dhënë Nexhmi Krasniqit dhe 20 mijë Liman Sallaukës. Po ashtu, Liman Sallauka dyshohet për armëmbajtje pa leje, pasi në shtëpinë e tij u gjetën armë dhe municion, ndërsa në shtëpinë e Krasniqit janë gjetur 63 fishekë. Edhe Paçarizit i është gjetur një pushkë ajrore pa leje.

Prokurori ka argumentuar se paraburgimi është i nevojshëm për të parandaluar presionin ndaj dëshmitarëve, prishjen e provave dhe përsëritjen e veprave penale, si dhe për të siguruar rrjedhën normale të hetimeve.

Në reagim, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka kërkuar largimin nga Policia të të gjithë atyre që njollosin uniformën policore.

Hetimet vijojnë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button