Kosova

Prokuroria kërkon paraburgim për gjashtë të dyshuar për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar të martën caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji për gjashtë persona të arrestuar në lidhje me vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.

Të dyshuarit, të identifikuar nga prokuroria me inicialet H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K. dhe D.G., janë nga qyteti i Kaçanikut. Ata po hetohen për veprën penale të “vrasjes së rëndë”, për të cilën Prokuroria thotë se ka ndodhur më 1 prill, rreth mesnatës.

Sipas deklarimeve të autoriteteve, Lika u vra në shkallët e ndërtesës ku jetonte në Kaçanik, në momentin kur po kthehej nga puna. Ai u qëllua pas shpine nga një i mitur, i cili, sipas hetimeve paraprake, veproi në bashkëpunim me pesë të dyshuarit e tjerë.

Arrestimi i tyre u bë të hënën, gjatë një aksioni të gjerë policor në Kaçanik dhe një fshat të Klinës. Gjatë operacionit, policia kreu bastisje në nëntë lokacione dhe konfiskoi dy automjete, telefona mobilë, disa laptopë, një armë zyrtare, maska, tyta armesh dhe fishekë.

Në një konferencë për media në Ferizaj, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dhe kryeprokurori Burim Çerkini thanë se pista kryesore hetimore lidhet me detyrën zyrtare të rreshterit Lika.

“Dyshimet e deritanishme janë se vrasja e rreshterit tonë ka ndodhur për shkak të detyrës së tij si zyrtar policor. Megjithatë, motivet e sakta do të qartësohen pas intervistimit të personave të dyshimtë dhe analizimit të dëshmive,” deklaroi Hoxha.

Ai shtoi se disa nga të dyshuarit kanë të kaluar kriminale dhe se Lika kishte qenë i përfshirë në hetime që lidhen me ta. Madje, disa prej tyre dyshohet se kishin prirje ekstremiste dhe ishin të arrestuar më parë.

Hetimet vazhdojnë, ndërkohë që prokuroria ka paralajmëruar masa të mëtejshme pas shqyrtimit të provave dhe dëshmive të mbledhura.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button