Kosova

Prokuroria kërkon paraburgim 30-ditor për të dyshuarin e përfshirë në sulmet në Zveçan

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit Lj.M., i cili dyshohet për përfshirje në disa vepra të rënda penale.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari ngarkohet me veprat: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si dhe sulm ndaj personit zyrtar.

Hetimet tregojnë se më 29 maj 2023, para objektit të komunës së Zveçanit, Lj.M., së bashku me persona të tjerë, ka sulmuar me gurë, bomba molotov dhe armë zjarri pjesëtarët e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarët që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Gjatë bastisjes në banesën e tij, autoritetet kanë sekuestruar një telefon, dy USB, uniforma ushtarake dhe një maicë me mbishkrim nacionalist, të cilat sipas Prokurorisë, e lidhin drejtpërdrejt me veprimet e dhunshme të asaj dite.

Prokuroria Speciale ka theksuar se do të vazhdojë me hetime të plota dhe ndjekje penale për të gjithë ata që morën pjesë në aktet e dhunës, duke vënë në rrezik sigurinë publike dhe rendin kushtetues të vendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button