Lajme

Prokuroria kërkon gjyq për 20-vjeçarin shqiptar që shtypi mikun e tij në një sfidë të rrezikshme në TikTok

Prokuroria italiane ka kërkuar dërgimin për gjykim të Andrea Kovaçajt, një 20-vjeçari me origjinë shqiptare nga Ormelle, i akuzuar për vrasje rrugore pas një tragjedie të ndodhur më 20 janar 2024, që çoi në vdekjen e Lorenzo Pjetrushit, 19 vjeç, gjithashtu shqiptar.

Ngjarja ndodhi në një parking pranë fushave të sportit në Cimadolmo, ku një grup të rinjsh ishin mbledhur për të festuar ditëlindjen e një kushëriri të viktimës. Sipas hetimeve të policisë së San Polo di Piave, para se të largoheshin drejt një lokali nate, Pjetrushi kishte hipur mbi kofanon e makinës së Kovaçajt, ndërkohë që ky i fundit e vuri mjetin në lëvizje.

Prokuroria pohon se Kovaçaj lejoi që shoku i tij të qëndronte mbi kofano, përpara se të niste makinën dhe të lëvizte për rreth 50 metra me një shpejtësi prej 15-20 km/h. Në momentin e ndaljes, Pjetrushi rrëshqiti dhe përfundoi poshtë mjetit, duke u shtypur tragjikisht. Ai u transportua me urgjencë në spitalin e Trevisos, ku humbi jetën nëntë ditë më vonë për shkak të dëmtimeve të rënda.

Zv/prokurorja Barbara Sabattini e ka klasifikuar rastin si vrasje rrugore, duke theksuar përgjegjësinë e drejtuesit të mjetit për lejimin e një sjelljeje të rrezikshme dhe fatale.

Familjarët e viktimës kanë kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e plotë të së vërtetës. “Nuk na interesojnë aspektet ekonomike të çështjes. Duam drejtësi për djalin tonë,” thanë ata për mediat lokale.

Ngjarja ngre shqetësime serioze për ndikimin e sfidave virale në rrjetet sociale. Sipas autoriteteve, mënyra se si ndodhi aksidenti ngjan me një sfidë të rrezikshme në TikTok, ku të rinjtë qëndrojnë mbi kofanon e makinave në lëvizje, duke imituar “surfing”-un.

Procesi gjyqësor pritet të hedhë më shumë dritë mbi përgjegjësitë ligjore dhe sociale që lidhen me tragjedinë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button