Prokuroria e Posaçme sekuestron dokumentet e kompanisë ndërtuese të tunelit të Llogarasë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ndërmarrë një veprim të rëndësishëm hetimor duke sekuestruar dokumentet e kompanisë ‘Hill International NV’, e cila është e përfshirë në ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Urdhri për sekuestrimin e dokumenteve është firmosur nga prokurori Dritan Prençi.
Ky veprim vjen në kuadër të hetimeve për një nga aferat më të mëdha korruptive në vend, e cila sipas ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, kap vlerën e të paktën 50 milionë euro. Ahmetaj e denoncoi këtë skandal gjatë një interviste për emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, duke deklaruar se tenderi fillestar me vlerë 140 milionë euro i fituar nga një kompani shqiptare është anuluar dhe më pas i është dhënë një kompanie turke për një shumë prej 190 milionë eurosh, pas disa takimeve në Ankara.
Sipas Ahmetajt, pas kësaj afere qëndrojnë Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Belinda Balluku, të cilët akuzohen si aktorët kryesorë në këtë skandal që ka tronditur opinionin publik.
Hetimet për këtë çështje pritet të thellohen në ditët në vijim, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë të gjitha dokumentet e sekuestruara për të hedhur dritë mbi procedurat dhe përfitimet e dyshimta që lidhen me ndërtimin e tunelit të Llogarasë.