Lajme

Prokuroria e Posaçme kërkon 6 vite burg për avokatin Radovan Çela, akuzohet për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm

Prokuroria e Posaçme ka lexuar konkluzionet përfundimtare në gjyqin ndaj avokatit Radovan Çela, i cili akuzohet për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë. Sipas raportimit të gazetarit Fatjon Gjinaj për SYRI TV, prokurori Klodian Braho ka kërkuar dënimin e Çelës me 6 vite burg. Por, për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim parashikohet të reduktohet në 4 vite.

Sipas organit të akuzës, Çela dyshohet se ka ofruar përfitime të paligjshme për të ndikuar në vendimmarrjen e disa funksionarëve të drejtësisë. Në seancën e ardhshme, pritet që mbrojtja ligjore e avokatit të paraqesë konkluzionet përfundimtare, pas së cilës gjykata do të japë vendimin.

I njëjti hetim përfshin edhe ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, për të cilin prokurori Braho ka kërkuar 3 vite burg. Vendimi për Zarkën pritet të shpallet nga GJKKO më 20 maj.

Rasti ka tërhequr vëmendjen e publikut për shkak të përfshirjes së emrave të njohur të sistemit të drejtësisë, ndërsa pritet me interes vendimi final i gjykatës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button