Prokuroria e Elbasanit nis dy procedime penale për shkelje zgjedhore – SPAK dhe BKH zbarkojnë në prokurori

Prokuroria e Elbasanit ka nisur sot dy procedime penale për shkelje të mundshme të ligjit zgjedhor. Sipas burimeve zyrtare, një nga çështjet lidhet me një rast të fotografimit të votës, ndërsa tjetra me një votim familjar, të dyja të ndodhura në zonën e Bradasheshit.
Paralelisht me hetimet në zhvillim, në ambientet e Prokurorisë së Elbasanit janë parë duke hyrë prokurorë të posaçëm të SPAK-ut dhe agjentë të BKH-së. Ende nuk dihen detaje mbi arsyen e këtij zhvillimi, por prania e tyre ngre pikëpyetje mbi hetime të mundshme të zgjeruara në kuadër të procesit zgjedhor.
Ky është një tjetër sinjal i përforcimit të kontrollit ndaj fenomeneve që cënojnë integritetin e zgjedhjeve, ndërkohë që institucionet e drejtësisë duken të angazhuara për të ndjekur çdo indicie që lidhet me manipulimin apo presionin mbi votuesit.