Profesori amerikan: Bllokada në Kosovë është uzurpim i demokracisë, Kurti duhet ta ndalë

Profesori amerikan i marrëdhënieve ndërkombëtare, Alon Ben Meir, ka reaguar për situatën politike në Kosovë, duke e quajtur bllokadën disa mujore një “uzurpim të rrezikshëm të demokracisë”.
Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare, Ben Meir ka theksuar se është e paimagjinueshme që një vend i vogël si Kosova, që përballet me probleme të theksuara ekonomike dhe tensione të vazhdueshme me fqinjët, të funksionojë për katër muaj me një qeveri në detyrë.
“Është e vështirë të imagjinohet se si një vend i vogël që po përjeton vështirësi të mëdha ekonomike dhe ndodhet në konflikt të vazhdueshëm me fqinjët e tij, është ende nën një qeveri kujdestare katër muaj pas zgjedhjeve kombëtare. Kryeministri Kurti duhet t’i japë fund bllokadës, pasi kjo situatë nuk flet mirë për të në momentin kur, pashmangshëm, do të mbahen zgjedhje të reja,” ka shkruar ai.
Profesori Ben Meir ka bërë thirrje që lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, të ndërmarrë hapa konkretë për të zhbllokuar situatën, duke paralajmëruar se një qasje e tillë do të ketë pasoja negative në zgjedhjet e ardhshme.
Sa i përket zgjidhjeve të mundshme, ai ka përkrahur propozimin e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për krijimin e një qeverie uniteti.
“Propozimi i liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për një qeveri uniteti kombëtar të udhëhequr nga një figurë politikisht neutrale – ku liderët e partive përjashtohen nga rolet ekzekutive dhe ministritë drejtohen nga profesionistë të të gjitha partive – duhet të merret seriozisht në konsideratë dhe të caktohet një datë e re për zgjedhjet,” ka shtuar ai.
Sipas Ben Meir, një qeveri e tillë kalimtare do të kishte për qëllim rikthimin e funksionalitetit institucional dhe realizimin e reformave të nevojshme para se vendi të shkojë në zgjedhje të reja.