Prizreni hap oborret e shkollave për parkim falas për mërgimtarët

Prizreni ka hapur dyert për mërgimtarët jo vetëm me zemër, por edhe me hapësira të dedikuara për ta. Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, ka njoftuar se oborret e disa shkollave publike në qytet do të shfrytëzohen si hapësira parkimi falas gjatë sezonit veror.
“Mirë se vini në shtëpi! Për të gjithë bashkatdhetarët që po kthehen në Prizren për pushime, kemi një dhuratë të vogël por me zemër të madhe: oborret e shkollave tona do të jenë hapësira parkimi falas për ju dhe familjet tuaja”, ka shkruar Totaj në Facebook.
Sipas njoftimit, hapësirat e parkimit do të jenë të disponueshme në shkollat:
“Lidhja e Prizrenit”
“Gjon Buzuku”
“Dëshmorët e Zhurit”
“Emin Duraku”
“Motrat Qiriazi”
Kryetari Totaj shtoi se kjo nismë është një mënyrë simbolike për të treguar mirënjohjen ndaj bashkatdhetarëve dhe theksoi se “Prizreni është për bashkatdhetarët”.
Kjo masë pritet të lehtësojë ndjeshëm sfidat e parkimit gjatë sezonit të verës, kur numri i vizitorëve në qytet rritet ndjeshëm.