Pritje të gjata në dalje nga Kosova – deri në 2 orë në Merdarë

Po vazhdojnë pritjet e gjata në pikat kufitare të Kosovës, kryesisht në drejtim të daljes nga vendi, si pasojë e fluksit të mërgimtarëve që po kthehen në vendet e tyre të punës.
Sipas përditësimit të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar (QKMK), të dhënat e orës 13:07 tregojnë se në pikën kufitare të Merdarës, qytetarët po përballen me pritje deri në 2 orë për të dalë nga Kosova.
Pritje të konsiderueshme janë edhe te Dheu i Bardhë, ku koha e pritjes për dalje arrin deri në 90 minuta, ndërsa për hyrje është vetëm 5 minuta.
Në pikën kufitare të Jarinjës, hyrja në Kosovë kërkon deri në 30 minuta, ndërsa në Muçibabë deri në 20 minuta.
Ndërkohë, në të gjitha pikat e tjera kufitare situata paraqitet normale dhe nuk raportohet për pritje të gjata.
Autoritetet kufitare u bëjnë thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë edhe pikat alternative për të shmangur pritjet e gjata.