Prindërit kërkojnë që librat shkollorë të shpërndahen drejtpërdrejt nga shkollat

Edhe këtë vit, Ministria e Arsimit ka vendosur që librat për nxënësit e klasave 1-5 të subvencionohen me 80 euro për çdo nxënës. Megjithatë, shumë prindër e konsiderojnë këtë proces të vështirë, pasi duhet të kujdesen vetë për blerjen e librave.
Nxënësja Melodi Cena nga klasa e pestë thotë se ende nuk ka marrë librat, por është e lumtur që ka filluar shkolla dhe ka mësuese të re. Ajo shton se blerja e librave nuk është e vështirë, por do të ishte më e lehtë sikur shkolla t’i siguronte.
Nëna e saj, Lenduare Cena, thekson se kjo situatë krijon vështirësi për prindërit që punojnë dhe mund të ndikojë negativisht në procesin mësimor. Ajo shpreson që vitin e ardhshëm librat të shpërndahen drejtpërdrejt nga shkolla për të shmangur ngarkesat dhe diferencimet mes nxënësve.
“Kemi pasur vështirësi sepse disa nxënës i kanë librat dhe disa jo, dhe kjo krijon një lloj bullizimi. Do të ishte shumë më mirë nëse librat shpërndahen nga shkolla,” tha ajo.