Presidentja Osmani publikon letrën e Trumpit: “Falënderuese për përkrahjen e fuqishme ndaj Kosovës”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë sot me publikun letrën që ka pranuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj për përkrahjen e vazhdueshme të Presidentit Trump dhe për, siç i quajti ajo, “fjalët e fuqishme për partneritetin me Kosovën”.
“Faleminderit Presidentit Trump për përkrahjen e tij, si dhe për fjalët e fuqishme për partneritetin me Kosovën,” shkroi Osmani.
Ajo theksoi se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah SHBA-ve në çdo sfidë dhe sukses, duke nënvizuar rëndësinë e aleancës së përhershme mes dy vendeve.
“Mbetem e përkushtuar të punojmë së bashku me Presidentin Trump për ta thelluar edhe më tej aleancën tonë në vitet që vijnë,” përfundoi ajo.