Presidentja Osmani ngushëllon familjen Latifi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj të sinqerta për vdekjen e 33-vjeçarit Rrahim Latifi, i cili u mbyt tragjikisht në liqenin e Ujmanit.
“Me dhembje të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të më të dashurit tuaj, Rrahim Latifi. Rrahimi u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme, duke lënë pas dhimbje të madhe për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën,” thuhet në mesazhin e saj ngushëllues.
Presidentja theksoi se humbja e një të riu është gjithmonë e rëndë, por bëhet edhe më e dhimbshme kur ndodh në rrethana të tilla tragjike.
“Në këto çaste dhimbjeje, ju lutem pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe lutjet për forcë e durim për ta përballuar këtë humbje të pazëvendësueshme,” përfundon reagimi i Presidentes Osmani.