Presidentja Osmani nga Letonia: Kosova, aleate e besueshme për vlerat demokratike dhe sigurinë evropiane

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite zyrtare në Riga, ka theksuar përkushtimin e palëkundur të Kosovës për të qenë një partnere e fuqishme në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe sigurisë në Evropë.
Gjatë vizitës në Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM), Presidentja Osmani u prit nga zyrtarë të lartë me të cilët diskutoi për thellimin e bashkëpunimit në fushat e sigurisë kibernetike dhe komunikimit strategjik. Ajo nënvizoi se këto janë fusha prioritare në kuadër të përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në NATO.
“Kosova është dhe do të mbetet një aleate e besueshme në mbrojtje të vlerave demokratike”, deklaroi Osmani pas takimit.
Në vijim të vizitës, Presidentja mori pjesë në një diskutim në Shtëpinë e Evropës së bashku me gra lidere dhe aktiviste nga Letonia. Ajo ndau përvojën e Kosovës si një vend që ka kaluar nëpër luftë, por që sot është shembull i përparimit demokratik, me theks të veçantë në fuqizimin e grave.
“Kosova avancon përpara me gratë në qendër të çdo procesi demokratik dhe të sigurisë”, u shpreh Osmani.
Vizita në Letoni u përmbyll në Muzeun e Okupimit, ku Presidentja e përshkroi përvojën si një moment të thellë reflektimi mbi qëndresën ndaj pushtimit dhe padrejtësisë historike.
“Si Kosova, ashtu edhe Letonia, mbijetuan përmes rezistencës dhe krenarisë kombëtare. Kujtesa kolektive është forca jonë – për të mos harruar të kaluarën e lavdishme dhe për të ndërtuar një të ardhme të drejtë e të sigurt”, theksoi ajo.
Vizita e Presidentes Osmani në Letoni vjen në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe avancimin e aspiratave euroatlantike të Kosovës.