Kosova
Kryesore

Presidentja Osmani dorëzon sot komentet në Kushtetuese për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të zhvillojë sot një konferencë për media në orën 12:00, në kabinetin e saj.

Sipas njoftimit nga Presidenca, paraqitja e Osmanit para mediave vjen në ditën kur ajo do t’i dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet lidhur me çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, ka theksuar se qëndrimi i Osmanit ka qenë i qartë: askush nuk duhet ta ketë të drejtën të bllokojë institucionet e Kosovës.
“Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës komentet brenda afatit të përcaktuar. Qëndrimi i saj gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin”, tha Kupina.

Të premten, Gjykata Kushtetuese miratoi masë të përkohshme pas kërkesës së dorëzuar nga Lista Serbe, duke ndaluar deputetët e Kuvendit të marrin vendime dhe duke pezulluar procedurat për formimin e Qeverisë deri më 30 shtator.

Në vendim theksohet se një masë e tillë është e domosdoshme për të evituar “rreziqe apo dëme të pariparueshme” që lidhen me themelimin e institucioneve shtetërore, duke nënvizuar se veprimet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button