Kosova

Presidentja Osmani dorëzon komentet për çështjen e konstituimit të Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i dërgojë të martën Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit, një proces që po tejzgjatet prej kohësh. Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.

Kupina nuk dha detaje për përmbajtjen e komenteve, por theksoi se qëndrimi i presidentes është që askush nuk duhet të ketë të drejtën ta bllokojë funksionimin e institucioneve.

“Siç e dini, Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen në fjalë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata, pra nesër më 9 shtator. Qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet në nenin 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t’i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve,” tha Kupina.

Javën e kaluar, Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme deri më 30 shtator, duke ia ndaluar deputetëve të zgjedhur të ndërmarrin veprime dhe zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e qeverisë së re. Kjo masë u vendos ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, në seancën e 30 gushtit kishte konsideruar të mbyllur seancën konstituive edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit serb, çka shtyu Listën Serbe të kërkonte ndërhyrjen e Kushtetueses.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button