Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti nderohen me çmimin “Alumni Nderi i Universitetit të Prishtinës

Universiteti i Prishtinës ka nderuar dje Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me çmimin prestigjioz “Alumni Nderi i Universitetit të Prishtinës”, në kuadër të 1 Tetorit, Ditës së Studentëve.
Në ceremoninë solemne, UP theksoi se të dy krerët e shtetit janë pjesë e historisë akademike të universitetit, pasi Osmani ka qenë gjithashtu pjesë e stafit akademik, ndërsa Kurti ka qenë student i këtij institucioni.
Presidentja Osmani, në fjalimin e saj, e përshkroi Universitetin e Prishtinës si “hapësirë të lirisë së mendimit dhe zemër të jetës akademike të vendit”, duke shtuar se: “Një komb që nderon dijen nuk ka asnjë arsye të frikësohet nga e ardhmja.”
Kryeministri Kurti u shpreh se profesorët dhe studentët e UP-së kanë mundësinë të formojnë figurat e së ardhmes për Prishtinën dhe Kosovën.
Rektori i Universitetit, prof. Arben Hajrullahu, vlerësoi kontributin historik të universitetit në ndërtimin e shoqërisë dhe shtetësisë së vendit, duke theksuar se “ka pak universitete në botë që kanë dhënë një kontribut të tillë gjatë gjithë historisë së tyre.”
Ceremonia u shoqërua edhe me një performancë artistike nga sopranoja Besa Llugiqi dhe profesoresha Lirika Pula nga Fakulteti i Arteve.
Universiteti theksoi se çmimi “Alumni Nderi” është ndarë më parë edhe për ish-presidenten Atifete Jahjaga, ndërsa shoqata Alumni e UP-së, e themeluar në vitin 2018, ka për qëllim mbledhjen e të diplomuarve për të kontribuar në ndërkombëtarizimin, rrjetëzimin dhe mbledhjen e fondeve për universitetin. Ceremonia u transmetua drejtpërdrejt edhe nga RTK.



