Presidenti i Hysenbelliu Group, z. Irfan Hysenbelliu, pritet në një takim zyrtar në SHBA nga një prej aleatëve më të afërt të Trump

Presidenti i Hysenbelliu Group, z. Irfan Hysenbelliu, është pritur në një takim zyrtar në Nju Jork nga Ekzekutivi i Qarkut Nassau, z. Bruce Arthur Blakeman, një nga figurat republikane më të afërta me ish-Presidentin amerikan Donald Trump.
Gjatë takimit, një nga temat kryesore të diskutimit ishte mundësia e investimeve në sektorin e prodhimit, ku u hodh ideja për ndërtimin e një fabrike birre në partneritet me një nga kompanitë më të mëdha spanjolle në industrinë europiane të birrës.
Palët diskutuan gjithashtu për lehtësimin e procedurave dhe mbështetjen institucionale ndaj projekteve të reja investuese, si dhe për rritjen e bashkëpunimit në fushën e medias. Sipas tyre, media ka një rol kyç në pasqyrimin e zhvillimeve ekonomike dhe turistike në Shqipëri – sektorë që po tërheqin gjithnjë e më shumë interes nga komuniteti shqiptaro-amerikan.
Ky takim sinjalizon një interes të ndërsjellë për ndërtimin e një dialogu të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve, me fokus në diplomacinë ekonomike, median dhe mbështetjen e sipërmarrjeve të reja.
Z. Hysenbelliu, i shoqëruar nga djali i tij Fatmir Hysenbelliu, po zhvillon një vizitë pune në SHBA, ku do të ketë takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të biznesit dhe politikës amerikane. Në qendër të kësaj vizite qëndron ndërtimi i urave të komunikimit dhe nxitja e investimeve të reja shqiptaro-amerikane.