Presidenti Begaj thirrje qytetarëve: Votoni me dinjitet, fati juaj është në dorën tuaj

Kur kanë mbetur vetëm pak orë nga fillimi i heshtjes zgjedhore, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka bërë një thirrje publike drejtuar qytetarëve shqiptarë, duke i ftuar që të marrin pjesë në votimet e 11 majit.
Në një mesazh drejtuar opinionit publik, Presidenti e cilëson 11 majin si një ditë me rëndësi të veçantë për secilin qytetar, duke nënvizuar se vota është jo vetëm një e drejtë, por edhe një përgjegjësi.
“Vota është zëri juaj. Përdoreni me dinjitet, sepse përmes saj ju merrni në dorë fatin tuaj dhe të brezave që do të vijnë,” thekson Presidenti Begaj në mesazhin e tij.
Ai bën thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje, duke kërkuar nga qytetarët që ta kthejnë këtë proces në një shembull të qytetarisë dhe pjekurisë demokratike.
Presidenti thekson se demokracia nuk përmbyllet me ditën e votimit, por është një angazhim i përditshëm që fillon me pjesëmarrjen dhe kulmon me përgjegjësinë.
“Institucionet kanë një detyrim të qartë dhe të panegociueshëm: të garantojnë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të qeta. Vetëm përmes një procesi të ndershëm ndërtohet besimi te shteti dhe e ardhmja demokratike,” shton ai.
Në përmbyllje të mesazhit, Presidenti Begaj u bën apel qytetarëve që 11 maji të jetë një ditë feste dhe angazhimi për demokracinë, duke shprehur besimin se Shqipëria mund të ecë drejt një të ardhme më të drejtë dhe më demokratike.
Zgjedhjet e 11 majit pritet të jenë një test i rëndësishëm për pjekurinë politike të vendit dhe për angazhimin qytetar në mbrojtje të vlerave demokratike.