
Presidenti i siguroi se gjetjet dhe rekomandimet e tyre do të trajtohen nga publiku dhe politika shqiptare me maksimumin e seriozitetit, sepse neutraliteti dhe korrektësia e misioneve vëzhguese ndërkombëtare janë të padiskutueshme.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, priti sot Koordinatoren Speciale të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për zgjedhjet në Shqipëri, Farah Karimi. Presidenti i Republikës e falënderoi zonjën Karimi dhe ekipin e saj për vizitën e tyre në Shqipëri me rastin e zgjedhjeve, si edhe përcolli vlerësimet e tij më të larta për rolin e misioneve vëzhguese ndërkombëtare në zgjedhjet shqiptare.
“Vëzhguesit ndërkombëtarë gëzojnë prestigj dhe besueshmëri tek opinioni publik shqiptar” – u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti i siguroi se gjetjet dhe rekomandimet e tyre do të trajtohen nga publiku dhe politika shqiptare me maksimumin e seriozitetit, sepse neutraliteti dhe korrektësia e misioneve vëzhguese ndërkombëtare janë të padiskutueshme.
Presidenti i Republikës theksoi se Shqipëria ka hyrë në një fazë zhvillimi, në të cilën përmbushja e standardit të zgjedhjeve është domosdoshmëri.
Me interlokutorët e huaj Presidenti Begaj ndau vlerësimet dhe opinionet rreth zhvillimeve të deritanishme.