Presidenti Begaj mandaton Ramën për herë të katërt kryeministër

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka mandatuar sot Edi Ramën për herë të katërt në postin e kryeministrit. Pas përfundimit të seancës së parë plenare të legjislaturës së re, Rama iu drejtua Presidencës për të marrë mandatin, sipas procedurave zyrtare.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dorëzoi emrin e kryeministrit, ndërsa Rama paraqiti listën e ministrave të kabinetit të ri qeveritar. Emrat e ministrave do të kalojnë në procesin e dekretimit individual nga presidenti, përpara se Kuvendi të zhvillojë seancën e votëbesimit. Pas miratimit, kabineti i ri do të bëjë betimin.
Seanca e parë e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 11 majit u drejtua nga deputeti më i vjetër, Vasil Llajo, pasi Sali Berisha dhe Tritan Shehu refuzuan këtë rol. Mazhoranca ngriti gjithashtu komisionin e përkohshëm për verifikimin e mandateve, i cili hap rrugën për betimin e deputetëve të rinj.