Premier League: Super kompjuteri zbulon favoritët për titullin – Liverpool, Arsenal dhe City në garë

Premier League, prej vitesh kampionati më spektakolar në botë, pritet të sjellë edhe këtë sezon një betejë të fortë për titullin kampion. Parashikimi për të gjetur fituesin është gjithmonë i vështirë, edhe pse vitet e fundit vetëm dy skuadra kanë ngritur trofeun – Manchester City dhe Liverpool.
Një super kompjuter në Angli ka analizuar sezonin e ri dhe ka zbuluar se Manchester United nuk ka asnjë shans për titull, ndërsa vetëm tre ekipe shihen si pretendentë të vërtetë.
Liverpooli, kampion në fuqi, ka fituar titullin në sezonin e parë me Arne Slot në stol dhe është përforcuar fuqishëm në merkato. “Reds” kanë shpenzuar mbi 240 milionë euro për të transferuar Florian Wirtz nga Bayer Leverkusen, Hugo Ekitiké nga Eintracht Frankfurt dhe Jeremie Frimpong. Megjithatë, skuadra ka humbur shërbimet e Alexander-Arnold. Sipas llogaritjeve, Liverpool ka 28.5% shanse për të mbrojtur titullin.
Arsenali shihet si rivali më i afërt, duke lënë pas edhe Manchester City-n. Skuadra e Mikel Arteta-s, që ka mbyllur dy sezonet e fundit në vendin e dytë dhe ka arritur në gjysmëfinalet e Champions League, ka zgjidhur problemin në sulm me afrimin e suedezit Viktor Gyökeres, autor i gati një goli për ndeshje me Sportingun. Shanset e “Topçinjve” për titull janë 24.2%.
Manchester City, pas një sezoni pa trofe dhe një vendi në Champions League të siguruar në ditën e fundit, renditet i treti me 18.8% shanse. Pep Guardiola ka përforcuar ekipin me Tijjani Reijnders nga Milani dhe talentin Ryan Cherki nga Lyon, ndërsa rikthimi i Rodrit shihet si një plus i madh.
Pas treshes kryesore vjen Chelsea, me rreth 8% shanse, skuadër që ka fituar Kupën e Botës për Klube më 13 korrik dhe Conference League në maj.
Ndërkohë, sipas parashikimit, tre kandidatët kryesorë për rënie nga Premier League janë ekipet e sapongjitura nga Championship: Burnley, Sunderland dhe Leeds.