Premier League i jep fund partneritetit me Stonewall pas tetë vitesh bashkëpunim

Premier League ka vendosur të ndërpresë partneritetin e saj me organizatën bamirëse LGBTQ+ Stonewall, duke i dhënë fund një bashkëpunimi tetëvjeçar që përfshinte promovimin e fushatës Rainbow Laces (Lidhëset Ylber), e nisur në vitin 2013.
Sipas The Telegraph, vendimi për t’i dhënë fund këtij bashkëpunimi u mor pas konsultimeve me të 20 kapitenët e klubeve të elitës, ku u vendos që të mos përdoren më shirat e kapitenëve dhe lidhëset me ngjyrat e ylberit gjatë ndeshjeve. Kjo shënon një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e ligës ndaj promovimit publik të përfshirjes LGBTQ+ në futboll.
Pavarësisht këtij vendimi, Premier League ka bërë të ditur se do të vazhdojë të fokusohet në “arsimimin përmes programeve komunitare” dhe se do të nisë një iniciativë të re për përfshirje, e cila do të prezantohet para Muajit të Historisë LGBTQ+ në shkurt 2026.
Sezoni i ri i Premier League nis pas një jave, me ndeshjen hapëse mes Liverpool dhe Bournemouth në Anfield më 15 gusht. Ky sezon do të sjellë gjithashtu rregulla të reja në fushë, përfshirë zbatimin e rregullit të “tetë sekondave” kur portierët kanë topin në zotërim.
Kontestime dhe përplasje me simbolet LGBTQ+
Fushata Rainbow Laces ka qenë subjekt debatesh në disa raste. Në dhjetor 2024, kapiteni i Ipswich Town, Sam Morsy, refuzoi të mbante shiritin me ngjyrat e ylberit në një ndeshje ndaj Nottingham Forest, duke përmendur bindjet e tij fetare. Klubi e mbështeti fushatën, por njëkohësisht theksoi se respektonte vendimin personal të Morsy-t.
Edhe lojtari i Crystal Palace dhe Anglisë, Marc Guehi, shkaktoi debat kur shkroi “I Love Jesus” mbi shiritin e tij me ngjyrat e ylberit në një ndeshje ndaj Newcastle. Ai u shpreh për Sky Sports: “Mesazhi ishte i qartë – dashuri dhe e vërtetë. Ishte një mesazh përfshirjeje, që flet vetë.”
Rasti i ngjashëm ndodhi në vitin 2022 me mesfushorin e Evertonit, Idrissa Gana Gueye, i cili raportohen se refuzoi të luante për Paris Saint-Germain në një ndeshje ku kërkohej mbajtja e një simboli me ngjyrat e ylberit.
Ndërprerja e këtij partneriteti sjell debat rreth lirisë personale, përfshirjes sociale dhe rolit të sportit në promovimin e barazisë në një nga ligat më të ndjekura të futbollit në botë.