
Kandidati i Partisë Demokratike në Fier, Fatjon Semanjaku, është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier. Ai ka kundërshtuar policët bashkiakë teksa po hiqnin një stendë elektorale në qendër të qytetit. Ndërkohë, PD-ja e ka cilësuar këtë si një ndalim me urdhër politik.
Por, Policia e Fierit në një deklaratë për mediat sqaron se efektivët bashkiakë, kanë qenë duke hequr stendën e vendosur sot në qendër të qytetit të Fierit, pasi ka qenë në shkelje të ligjit elektoral.
“Rreth orës 18:50, Drejtori i Policisë Bashkiake ka njoftuar te Salla Operative e DVP Fier se një subjekt politik ka vendosur poster në qendër të qytetit, në kundërshtim me ligjin dhe po kundërshton forcat e Policisë Bashkiake për heqjen e këtij posteri. Pas njoftimit të marrë, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat, për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, kanë shoqëruar personin që po kundërshtonte policinë bashkiake, kandidatin për deputet të Partisë Demokratike, shtetasin F. S., i cili është lënë i lirë menjëherë”, njoftoi Policia e Fierit.
Burime bëjnë me dije se një ditë më parë, Policia Bashkiake e Fierit ka hequr një tjetër stendë të Semanjakut, të dyja në shkelje të ligjit elektoral. Vetëm një ditë më parë, Partia Demokratike zhvilloi miting në qarkun e Fierit, ku ishte edhe kreu i PD, Sali Berisha dhe drejtuesi politik Bardhi.