Policia e Shtetit mobilizohet për zgjedhjet e 11 majit: 7651 efektivë të trajnuar, masa të rrepta sigurie në të gjithë vendin

Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 11 majit, duke përfshirë trajnimin e mbi 7600 efektivëve dhe marrjen në ruajtje të të gjitha objekteve zgjedhore në vend.
Sipas një njoftimi zyrtar, në bashkëpunim me OSBE-në, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorinë e Përgjithshme, janë trajnuar 6838 punonjës policie me uniformë dhe 813 specialistë për Hetimin e Krimeve, me qëllim hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore.
Policia ka vendosur tashmë në ruajtje të gjitha objektet që shërbejnë si Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe do të vijojë shërbimin e saj deri në përfundim të të gjithë procesit. Në total, janë 93 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe 5225 objekte që do të funksionojnë si qendra votimi, të cilat do të merren në ruajtje nga e shtuna.
Lista me 5316 efektivë policie dhe automjete përkatëse për ruajtjen e objekteve dhe shoqërimin e materialeve zgjedhore është miratuar nga KQZ. Të gjithë punonjësit e angazhuar janë të pajisur me mjetet e identifikimit dhe jelekët e Policisë së Shtetit.
Të dielën, më 11 maj, pas dorëzimit të qendrave të votimit në mëngjes, efektivët do të tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara, për t’u rikthyer sërish në orën 19:00, për shoqërimin e materialeve zgjedhore drejt KZAZ-ve. Po atë ditë, në orën 18:00, do të merren në ruajtje të gjitha objektet ku do të bëhet numërimi i votave, me shërbim që do të vijojë deri në përmbyllje të procesit.
Në rast kërkese nga KQZ, KZAZ apo komisionet e qendrave të votimit, Policia është e gatshme të ndërhyjë sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor. Janë lënë pika kontakti për çdo rast të tillë dhe do të veprohet në kohë.
Deri më tani, janë referuar 37 raste për krime zgjedhore në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe në SPAK, si pjesë e punës hetimore të strukturave të posaçme të Policisë.
Policia e Shtetit ka apeluar për qytetarët që të denoncojnë çdo përpjekje për të cënuar të drejtën e votës, si dhe për partitë politike që të respektojnë ligjin dhe të bashkëpunojnë për një proces zgjedhor të qetë dhe të sigurt.
Gjithashtu, në kuadër të aktivitetit ndërkombëtar “Giro d’Italia”, Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimet e përkohshme të qarkullimit dhe i nxit ata të ndjekin udhëzimet e punonjësve të policisë rrugore dhe bashkiake.