Kosova

Policia e Kosovës zbulon armë dhe materiale me simbole nacionaliste në veri

Policia e Kosovës ka zhvilluar të martën dy operacione të ndara në pjesën veriore të vendit, duke sekuestruar armë dhe materiale me simbole nacionaliste serbe.

Operacioni i parë është kryer rreth orës 15:00 në fshatin Junake të komunës së Zveçanit, ku Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë e Policisë Kufitare ka kontrolluar një zonë pyjore pas informacioneve për aktivitete të dyshimta. Gjatë bastisjes, policia ka zbuluar tri armë të gjata – një pushkë gjysmë automatike dhe dy pushkë gjuetie – të fshehura brenda një gypi metalik, si dhe sasi municioni. Në vendngjarje kanë ndërhyrë njësitë për trajtimin e mjeteve shpërthyese dhe hetuesit rajonalë.

Ndërkohë, një aksion tjetër është zhvilluar në një lokal në Leposaviq, në bashkëpunim me Doganën dhe Njësinë e Hetimeve Rajonale. Gjatë kontrollit janë gjetur bluza, pajisje elektroshoku dhe artikuj të tjerë me simbole e mbishkrime të dyshuara nacionaliste. Për këtë rast është njoftuar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë për veriun e vendit, Veton Elshani, ka bërë të ditur se deri më tani nuk është arrestuar askush, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Këto operacione, sipas policisë, janë pjesë e angazhimit për forcimin e rendit dhe ligjit në veri, si dhe për parandalimin e aktiviteteve të paligjshme dhe destabilizuese.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button