Policia e Kosovës shkatërron armë ilegale në Prelez

Policia e Kosovës ka organizuar ceremoninë e shkatërrimit të armëve të vogla dhe të lehta ilegale në fshatin Prelez, në magjistralen Prishtinë–Ferizaj.
Në ngjarje morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, përfaqësues të UNDP-së dhe Bashkimit Evropian, si dhe ambasada të shteteve partnere dhe zyrtarë të lartë institucionalë.
Gazmend Hoxha bëri të ditur se që nga viti 1999 Policia ka konfiskuar mbi 36 mijë armë, ndërsa që nga viti 2005 janë shkatërruar 15,904 armë të shkurtra dhe të gjata, si dhe 235 mijë copë municione. Ai theksoi se armët ilegale janë një rrezik për qytetarët dhe familjet dhe bëri thirrje që qytetarët të qëndrojnë larg tyre, duke respektuar kuadrin ligjor për licencim.
“Armët ilegale nuk krijojnë siguri, por pasiguri. Janë përdorur në shumë raste kriminale dhe kanë shkaktuar humbje jete,” tha Hoxha.
Ky proces, sipas Policisë, do të vazhdojë me qëllim rritjen e sigurisë për qytetarët e Kosovës.



