Policia e Kosovës forcon bashkëpunimin me Policinë Bullgare

Një delegacion i lartë i Policisë së Kosovës, i udhëhequr nga Drejtori i Përgjithshëm, kolonel Gazmend Hoxha, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Policinë e Bullgarisë, me synim forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe shkëmbimin e përvojave profesionale.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë vizitës palët kanë diskutuar për mundësitë e nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi, që do të shërbejë si bazë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve të rendit.
Dita e parë e vizitës nisi me një takim në Asamblenë Kombëtare të Bullgarisë, për të vijuar më pas me një takim zyrtar me Shefin e Shërbimit Kombëtar për Mbrojtje, gjeneral major Emil Tonev. Delegacioni i Kosovës u njoh me misionin, detyrat, funksionet dhe programet e trajnimit të këtij shërbimi, ndërsa pjesëtarët bullgarë demonstruan aftësitë e tyre profesionale përmes një simulimi praktik.
Gjatë qëndrimit në Sofje, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës zhvilluan takime edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Bullgarisë dhe me drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Kombëtare, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në fushat e trajnimit, operacioneve dhe sigurisë kufitare.
Delegacioni u prit gjithashtu nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Bullgari, z. Haxhi Bajraktari, i cili vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit policor si pjesë e marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve.
Nga Policia e Kosovës u theksua se vizita të tilla forcojnë shkëmbimin e përvojave policore dhe ndihmojnë në krijimin e urave lidhëse ndërmjet institucioneve të sigurisë në rajon dhe më gjerë.



