Policia e Kosovës e gatshme për sfidat e sigurisë – Hoxha: Situata është stabile, përjashto Veriun

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se institucionet e sigurisë në vend janë të përgatitura për çdo sfidë që mund të paraqitet, veçanërisht në kontekstin e tensioneve të fundit me Serbinë.
Gjatë një konference për media të mbajtur në ambientet e Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave (AME), Hoxha është pyetur nga gazetarët lidhur me zhvillimet e fundit dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia.
“Ne i dimë qëllimet e politikës së Serbisë, e cila rrallëherë apo asnjëherë nuk ka qenë në përkrahje të paqes dhe sigurisë në vendin tonë,” tha Hoxha. Ai theksoi se Policia e Kosovës është e përgatitur për të përballuar të gjitha sfidat eventuale, duke garantuar siguri për qytetarët.
Sipas tij, situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë dhe stabile, përveç në pjesën veriore të vendit. “Aty vazhdon të jetë e brishtë për shkak të veprimeve të politikës serbe, si dhe ndikimit të grupeve kriminale, ekstremiste dhe terroriste që shpeshherë mbështeten nga qeveria e Serbisë,” u shpreh Hoxha.
Deklaratat e shefit të policisë vijnë në një kohë kur shqetësimet për destabilizim në veri janë rritur, në veçanti pas disa incidenteve të raportuara dhe deklaratave të ashpra nga zyrtarë serbë.