Kosova

Policët që bien ndesh me ligjin – kërkohet mbikëqyrje më e ashpër ndaj zyrtarëve policorë

Dy rastet e fundit ku një polic dyshohet për përfshirje në një rrëmbim në Hajvali dhe një tjetër u arrestua për dhunë në familje, kanë ngritur shqetësime për sjelljen e zyrtarëve policorë. Ish-drejtues të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) dhe ish-policë kërkojnë mbikëqyrje më të rreptë ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ndonëse theksojnë se veprimet individuale nuk duhet të përgjithësojnë institucionin.

Ish-kryeshefi i Policisë, Fitim Shishani, tha për Ekonomia Online se Qeveria duhet të krijojë kushte më të mira për punonjësit policorë dhe të forcojë mbikëqyrjen e brendshme.

“Një organizatë e madhe si Policia e Kosovës mund të ketë individë që kryejnë vepra të këqija, por duhet të ketë një mbikëqyrje të brendshme të vazhdueshme. Policia nuk duhet të presë vetëm Inspektoratin Policor, por vetë udhëheqësit duhet të kujdesen për sjelljet e vartësve të tyre,” tha Shishani.

Ai gjithashtu bëri thirrje që gjatë arrestimeve të zyrtarëve policorë të shmanget “pompoziteti”, duke respektuar prezumimin e pafajësisë.

“Duhet kujdes se si trajtohen rastet e zyrtarëve të dyshuar, sepse ata janë vetëm të dyshuar, jo të dënuar. Duhet ruajtur personaliteti dhe dinjiteti i tyre deri në vendimin përfundimtar,” shtoi ai.

Ndërsa ish-polici dhe tani avokati Visar Rrecaj theksoi se askush nuk përjashtohet nga përfshirja në vepra penale, por zyrtarët policorë duhet të jenë më të kujdesshëm për shkak të përgjegjësisë që mbajnë.

“Zyrtarët policorë e dinë më mirë se kushdo pasojat ligjore të një vepre penale, por ndonjëherë ndikojnë faktorë si gjendja ekonomike e sociale. Në disa raste dënimet për policët janë më të larta se për qytetarët e zakonshëm, sidomos nëse vepra kryhet gjatë orarit zyrtar,” u shpreh Rrecaj.

Ai shtoi se megjithëse Policia e Kosovës bën verifikime të hollësishme për çdo rekrut, nuk përjashtohet mundësia që në radhët e saj të futen individë me prirje kriminale.

“Procesi i verifikimit është i domosdoshëm, por asnjë filtër nuk garanton që në të ardhmen një individ nuk do të kryejë vepra penale. Rastet e dhunës në familje apo të rrëmbimeve janë më shumë çështje individuale dhe nuk mund t’i atribuohen institucionit,” shtoi ai.

Sa i përket suspendimeve, avokati sqaroi se ato varen nga lloji i veprës penale dhe mund të zgjasin nga disa ditë deri në përfundim të procesit gjyqësor.

“Suspendimi mund të jetë 48 orë, një javë, një muaj apo deri në fund të gjykimit, sidomos për rastet e korrupsionit ose veprave të kryera në detyrë,” theksoi Rrecaj.

Ekspertët pajtohen se rritja e mbikëqyrjes, përmirësimi i kushteve të punës dhe edukimi i vazhdueshëm profesional janë mënyrat më të mira për të parandaluar raste të tilla dhe për të ruajtur besimin e qytetarëve ndaj Policisë së Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button