Kosova

Poezia shqiptare e Lulzim Tafës shndërrohet në pjesë të ekspozitës ndërkombëtare në Shangai

Poezitë e poetit kosovar Lulzim Tafa janë përzgjedhur të ekspozohen krahas veprave të 100 poetëve botërorë në ekspozitën ndërkombëtare poetike me titull “Shi Xu” (Fije Poetike), që po mbahet në Bibliotekën e Qytetit të Shangait. Ngjarja, e cila nisi më 13 gusht, do të qëndrojë e hapur deri më 17 shtator 2025.

Në këtë ekspozitë, vargjet e Tafës u prezantuan krahas emrave të njohur botërorë të letërsisë si Paul Celan, Dylan Thomas dhe Rabindranath Tagore, si dhe poetë klasikë dhe modernë nga Kina dhe vende të tjera të botës.

Si pjesë e Panairit të Librit të Shangait 2025, ekspozita “Shi Xu” ka për qëllim të eksplorojë fuqinë shëruese të poezisë, duke ndërthurur poezi me instalacione artistike dhe interaktive. Ngjarja promovon shëndetin mendor, duke ofruar vizitorëve një eksperiencë të thelluar me poezinë dhe ndërtimin e forcës së brendshme.

Biblioteka e Qytetit të Shangait, e njohur edhe si “Kështjella e Vogël e Shangait” për arkitekturën dhe historinë e saj, ofron ambientin ideal për këtë ekspozitë, duke nxitur trashëgiminë kulturore dhe inovacionin artistik. Një nga elementet interaktive të ekspozitës janë kabinat klasike të telefonit, ku vizitorët mund të lexojnë poezi nga autorë të ndryshëm nga e gjithë bota.

Kjo ngjarje ka një rëndësi të veçantë për letërsinë shqipe, pasi promovon vlerat shpirtërore dhe kulturore të poezisë sonë në një qytet me rëndësi të madhe kulturore. Lulzim Tafa konsiderohet një prej poetëve më të njohur dhe më të përkthyer të letërsisë shqipe në botë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button