Kurti ngre dyshime për vonesën e Kushtetueses në publikimin e aktgjykimit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ngritur pikëpyetje lidhur me vonesën në publikimin e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke paralajmëruar se situata mund të jetë më e ndërlikuar sesa duket.
Në një deklaratë për mediat pas pjesëmarrjes në Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, Kurti tha se gjithmonë ka respektuar vendimet e Kushtetueses, por këtë herë sheh shenja të një precedenti shqetësues.
“Nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që Qeveria e Kosovës me mua si Kryeministër nuk e ka respektuar. Dhe nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, të cilin edhe unë si kryetar i VV-së, nuk e kam respektuar. Por kur më pyesin sërish a do ta respektoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, kjo më bën të mendoj që do të jetë i pazakonshëm, i padrejtë, i padurueshëm, saqë ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Kurti.
Ai kujtoi se në rastin e 26 qershorit aktgjykimi ishte publikuar në të njëjtën ditë me njoftimin, ndërsa këtë herë – më 8 gusht – publikimi po vonohet.
“Sipas bindjes time, ka mospërputhje mes këtij aktgjykimi në versionin e plotë që jemi duke e pritur dhe 26 qershorit të po kësaj përvoje të Gjykatës Kushtetuese. Nuk është mirë që kemi këtë vonesë. Kur ta lexojmë aktgjykimin e plotë, atëherë do ta japim vlerësimin tonë meritor”, tha ai.
Kurti theksoi se vonesa ngre dyshime për transparencën dhe qasjen e Gjykatës Kushtetuese, duke paralajmëruar se vendimi i saj i ardhshëm mund të sjellë pasoja të rëndësishme politike dhe juridike.