Pesë komuna të PDK-së marrin vlerësim maksimal për transparencën buxhetore në vitin 2024

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se pesë nga komunat e udhëhequra nga kjo parti kanë arritur vlerësimin maksimal prej 100 pikësh nga Instituti GAP për transparencën buxhetore në vitin 2024.
Sipas Krasniqit, komunat Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Prizren, Skenderaj dhe Vushtrri janë shpallur si më transparentet në menaxhimin e buxhetit.
“Nga tetë komunat me shumicë shqiptare që udhëhiqen nga PDK, pesë prej tyre kanë arritur vlerësimin maksimal prej 100 pikësh nga Instituti GAP për transparencën buxhetore në vitin 2024”, deklaroi ai.
Krasniqi theksoi gjithashtu se edhe komunat Drenas dhe Hani i Elezit janë vlerësuar lartë, me nga 95 pikë secila, duke u renditur ndër më të mirat në vend.
“Në total, komunat tona janë kampione absolute të transparencës dhe të menaxhimit të parasë publike. Ky është standardi që PDK sjell në qeverisje, kudo ku merr përgjegjësi,” u shpreh ai.
Në fund, lideri i PDK-së tha se më 12 tetor, partia synon të zgjerojë këtë standard qeverisës edhe në komuna të tjera, për t’u shërbyer më shumë qytetarëve me “punë, transparencë, zhvillim dhe shumë dashuri.”