KryesoreLajme
Kryesore

Përplasje në Fier/ Kandidati i PD Fatjon Semanjaku shoqërohet nga policia pas konfliktit për banderolën elektorale

Kandidati i Partisë Demokratike në Fier, Fatjon Semanjaku, është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier. Ai ka kundërshtuar policët bashkiakë teksa po hiqnin një banderolë në qendër të qytetit. Ndërkohë, PD-ja e ka cilësuar këtë si një ndalim me urdhër politik.
FIER- Vetëm një javë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kandidati i Sali Berishës në qarkun e Fierit, Fatjon Semanjaku, është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier, pasi ka kundërshtuar policët bashkiakë. Këta të fundit, kanë qenë duke hequr një banderolë elektorale në qendër të qytetit të Fierit, banderolë që mbante emrin e vetë, Semanjakut. Sipas Policisë së Fierit, banderola ishte në shkelje të ligjit elektoral dhe pas shoqërimit Semanjaku është lënë i lirë.

Në një video të siguruar nga Report Tv, dallohet edhe momenti kur kandidati i Berishës në listën e hapur të Fierit, debaton me tone të ashpra me policët e bashkiakë, të cilët nuk i lejon të heqin banderolën, ndërsa me zë të lartë dëgjohet tu thotë “mos e prek me dorë”.

Madje në një pamje tjetër që Report Tv ka siguruar, Semanjaku dallohet teksa kundërshton policët në momentin që ata heqin banderolën. Në këtë moment, dallohen një grup efektivësh të Policisë së Fierit që ndërhyjnë për ta shoqëruar në komisariat dhe më pas e kanë lënë të lirë. Partia Demokratike e ka cilësuar këtë një ndalim politik, ndërsa në komisariat shkoi edhe drejtuesi politik i PS në Fier, Gazment Bardhi. Në një deklaratë paraprake PD ka akuzuar se Semanjaku është shoqëruar me urdhër politik të Belinda Ballukut.

“Policia e Fierit me urdhër Politik të Belinda Ballukut, ka shoqëruar në Komisariat, Kandidatin e Partisë Demokratike Fatjon Semanjaku, pse bën fushatë dhe shpërndan fletushka në shesh”, thuhet në reagim.

Por, Policia e Fierit në një deklaratë për mediat sqaron se efektivët bashkiakë, kanë qenë duke hequr banderolën e vendosur sot në qendër të qytetit të Fierit, pasi ka qenë në shkelje të ligjit elektoral.

“Rreth orës 18:50, Drejtori i Policisë Bashkiake ka njoftuar te Salla Operative e DVP Fier se një subjekt politik ka vendosur poster në qëndër të qytetit, në kundërshtim me ligjin dhe po kundërshton forcat e Policisë Bashkiake për heqjen e këtij posteri.

Pas njoftimit të marrë, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, kanë shoqëruar personin që po kundërshtonte policinë bashkiake, kanditatin për deputet të Partisë Demokratike, shtetasin F. S., i cili është lënë i lirë menjëherë”, njoftoi Policia e Fierit.

Burime bëjnë me dije se një ditë më parë, Policia Bashkiake e Fierit ka hequr një tjetër banderolë të Semanjakut, të dyja në shkelje të ligjit elektoral.

Vetëm një ditë më parë, Partia Demokratike zhvilloi miting në qarkun e Fierit, ku ishte edhe kreu i PD, Sali Berisha dhe drejtuesi politik Bardhi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button