Përplasje mes Gjykatës Supreme dhe Qeverisë në detyrë për Udhëzimin Administrativ mbi arkat fiskale

Gjykata Supreme i është kundërpërgjigjur Qeverisë në detyrë pas reagimit të saj të mbrëmshëm lidhur me vendimin për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për arkat fiskale. Sipas Supremes, deklaratat e Qeverisë përbëjnë jo vetëm një keqinterpretim të vendimit gjyqësor, por edhe një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit.
Në një reagim zyrtar, Gjykata Supreme ka theksuar se të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të detyruara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një shtyllë themelore të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Vendimet e Gjykatës Supreme janë të bazuara në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi, dhe si të tilla duhet të respektohen”, thuhet në deklaratë. Supremja ka shtuar se edhe në rastin konkret ka vepruar në përputhje me normat juridike për miratimin e akteve nënligjore, duke garantuar zbatimin e ligjit.
Gjykata ka paralajmëruar se përpjekjet për të vënë në pikëpyetje autoritetin dhe legjitimitetin e saj përmes deklaratave politike dëmtojnë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe cenojnë rendin demokratik.
Nga ana tjetër, Qeveria në detyrë ka reaguar fuqishëm duke e cilësuar vendimin e Supremes si arbitrar dhe me arsyetim të njëanshëm. Sipas saj, neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk përmban ndalesë për nxjerrjen e akteve nënligjore nga një qeveri apo ministër në detyrë, dhe kufizimet lidhen vetëm me çështje madhore si marrëveshjet ndërkombëtare apo projektligjet.
Sipas Qeverisë, procedura për hartimin e Udhëzimit Administrativ kishte nisur në nëntor 2024, kur ajo ende kishte mandat të plotë, çka sipas saj i jep këtij akti legjitimitet të plotë proceduror dhe substancial.
“Vendimi i Gjykatës është i brishtë logjikisht dhe kushtetueshëm. Ai njeh ekzistencën e Qeverisë në detyrë, por mohon të drejtën e saj për të ushtruar kompetenca që nuk janë të ndaluara me ligj”, thuhet në reagim.
Qeveria në detyrë ka kundërshtuar edhe pretendimin për konflikt funksional mes ministrave në detyrë dhe pozitës së deputetit, duke argumentuar se përbërja e re parlamentare ende nuk ka hyrë në fuqi pasi Kuvendi nuk është konstituuar.
Në fund, Qeveria ka paralajmëruar se do të bëjë ankesë ndaj këtij vendimi të Gjykatës Supreme.
Ky zhvillim pason përplasjet e vazhdueshme ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe ekzekutivit në një kohë krize politike dhe vakumi institucional në vend.