Përplasje me armë në Laç – Humb jetën një i ri, katër të plagosur

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e kaluar në Laç, ku një përplasje me armë zjarri mes disa personave ka përfunduar me pasoja tragjike.
Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka humbur jetën i riu Gerald Bitri, ndërsa katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Të lënduarit janë identifikuar si Daniel Gjeloshi, Liridon Ismailaj, Angjelina Ndoj dhe Amarildo Ndoj.
Tre prej të plagosurve – Gjeloshi, Ismailaj dhe Angjelina Ndoj – ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë.
Ndërkohë, më shqetësuese paraqitet gjendja e Amarildo Ndojit, i cili ndodhet në repartin e reanimacionit në gjendje të rëndë. Burime pranë spitalit bëjnë me dije se ai pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave të përfshirë në konflikt.