Kadrijaj pas dështimit të seancës: “A është e turpshme që 26 vjet pas çlirimit, një njeri me kapriço tenton ta shkatërrojë shtetin?”

Deputetja e betuar e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka reaguar me tone të ashpra pas dështimit të 52-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Gjatë fjalës së saj në seancë, ajo u shpreh e zhgënjyer nga situata aktuale, duke akuzuar disa deputetë për abuzim me Kushtetutën dhe mungesë vullneti për të zgjidhur krizën institucionale.
“Besoni që ne sot nuk po ndihemi mirë, duke parë se ata që janë ulur në këtë mes, po abuzojnë me Kushtetuesen, po dëshirojnë me shkel Kushtetutën e Kosovës dhe po vazhdojnë me cinizëm me buzëqesh kur kërkojmë të respektohet Kushtetua,” tha Kadrijaj.
Ajo theksoi se partitë politike kishin ofruar votat me mirëbesim, vetëm për të bërë të mundur konstituimin e Kuvendit dhe për të shmangur një situatë të tillë të paprecedentë.
“Jo që nuk kanë pasur alternativa, jo që nuk kanë pasur vota – i kanë pasur, dhe janë ofruar me mirëbesim nga partitë politike me të vetmin kusht që të konstituohet Kuvendi,” deklaroi ajo.
Kadrijaj shtroi edhe një pyetje retorike që rezonoi fuqishëm në sallë:
“A është e turpshme që 26 vjet pas çlirimit, një njeri me kapriço të tentojë të shkatërrojë shtetin e Kosovës, pavarësinë e Kosovës, të luajë kështu me identitetin e Kosovës?”