Përparim Spahiu: Pse shqiptarët nuk duhet të votojnë më Partinë Socialiste pas 12 vitesh qeverisje

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu, ka reaguar me një mesazh publik në rrjetin social Facebook, ku ka listuar arsyet kryesore pse, sipas tij, qytetarët nuk duhet të votojnë më Partinë Socialiste pas 12 viteve në pushtet.
Në shënimin e tij, Spahiu thekson se qeverisja socialiste ka prodhuar pasoja të rënda për vendin, përfshirë shpopullimin masiv, rritjen e kostos së jetesës dhe mungesën e zhvillimit të qëndrueshëm. Ai akuzon mazhorancën për kapjen e institucioneve dhe mungesën e kontrollit demokratik, ndërsa korrupsioni – sipas tij – është përhapur në çdo sektor.
Pesë arsyet që Spahiu rendit për të mos votuar PS janë:
Shpopullimi masiv: Mbi 700,000 qytetarë janë larguar nga Shqipëria që prej vitit 2013.
Rritja e kostos së jetesës: Çmimet janë rritur, ndërsa pagat dhe pensionet mbeten të ulëta.
Dështimi në zhvillimin real: Regres në arsim, shëndetësi, bujqësi dhe procesin e integrimit europian.
Mungesë balancash demokratike: Kontroll i plotë i pushtetit nga qeveria.
Korrupsion i përhapur: Në dogana, tendera, shëndetësi dhe drejtësi.
Përballë kësaj situate, Spahiu fton qytetarët të votojnë për Partinë Demokratike, duke theksuar programin ekonomik të saj me taksë të sheshtë 10%, TVSH më të ulët dhe ndihmë të drejtpërdrejtë për shtresat në nevojë. Ai përmend gjithashtu zgjidhje konkrete si Karta e Konsumatorit për pensionistët dhe lehtësira për të rinjtë në punësim e arsim profesional.
“Partia Demokratike ofron një qeveri me njerëz të rinj, të ndershëm dhe të gatshëm të punojnë për qytetarët, jo për oligarkët”, shkruan Spahiu, duke e mbyllur thirrjen e tij me moton:
“Voto për ndryshim, dinjitet dhe shpresë.”