Përfundon verifikimi i votave në disa komuna, në qendrat e mëdha procesi ecën ngadalë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar procesin e verifikimit të votave për kryetarë komunash në disa komuna të vendit, ndërsa në qendrat e mëdha procesi po zhvillohet me ritme më të ngadalta.
Në Junik pritet balotazh mes Ruzhdi Shehut të LDK-së dhe Agron Kuçit të AAK-së. Ndërkohë, në Han të Elezit, kandidati i PDK-së Mehmet Ballazhi ka siguruar fitore në raundin e parë me 50.96% të votave, përballë Rufki Sumës.
Në Novobërdë, kandidati i Listës Serbe, Sasha Millosheviq, ka konfirmuar fitoren pa balotazh, ndërsa e njëjta parti ka siguruar fitore të menjëhershme edhe në Zveçan, Ranillug dhe Partesh.
Në Mamushë, pas verifikimit të votave, Abdulhadi Krasniç i KDTP-së ka fituar gjithashtu pa balotazh.
Ndërkohë, procesi i verifikimit dhe rinumërimit të votave në qendrat e mëdha po ecën më ngadalë. Deri më tani është përfunduar:
Ferizaj 35%
Gjilan 26%
Mitrovicë 20.9%
Pejë 17%
Gjakovë 13%
Prishtinë 9%
Prizren 1.27%
Procesi pritet të vazhdojë gjatë ditëve në vijim, derisa të konfirmohen rezultatet përfundimtare në të gjitha komunat.



