Kosova

Përfundon numërimi i votave me kusht, nesër nis numërimi për personat me nevoja të veçanta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është drejt përfundimit procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht, i cili kishte filluar një ditë më parë.

Rezultatet nga ky proces po publikohen në platformën zyrtare për rezultate të KQZ-së: https://resultslocal2025.kqz-ks.org
, në rubrikën “Rezultatet QNR – Votimi me kusht”.

Sipas njoftimit, votimi me kusht është realizuar në 54 vendvotime të veçanta në 38 komuna të vendit. Pas përmbylljes së këtij procesi, gjatë ditës së mërkurë do të nisë numërimi i fletëvotimeve të personave me nevoja të veçanta, të cilët kanë votuar përmes ekipeve mobile jashtë vendvotimeve të rregullta. Numri i votuesve të regjistruar në këtë kategori është më shumë se 3,467.

Rezultatet e këtij numërimi do të publikohen në të njëjtën platformë, në rubrikën “Rezultatet QNR – Nevoja të veçanta (VPNV)”.

Ndërkohë, në QNR është përmbyllur edhe procesi i skanimit të Listës së Votuesve, i cili shërben për të krahasuar pjesëmarrësit në votim në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht. Kjo procedurë ka për qëllim identifikimin e rasteve të mundshme të votimit të dyfishtë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button