Përballje me qytetarët, Fitore Pacolli në qendër të debatit: Akuza për korrupsion dhe reagime të ashpra nga analistët

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, është bërë kryefjalë këtë fundjavë, pasi u përball publikisht me dy qytetarë që protestuan ndaj saj, duke pretenduar se bashkëshorti i saj ka përfituar 52 mijë euro nga Ministria e Kulturës.
Ky incident është diskutuar gjerësisht në emisionin “Kosova Today”, transmetuar nga Klan Kosova, ku u hodhën akuza për inskenim dhe reagime të papërshtatshme nga ana e deputetes.
Avokati Gent Gjini, përfaqësues ligjor i njërit prej qytetarëve protestues, Agim Pllashniku, deklaroi se klienti i tij ka përdorur një formë simbolike për të shprehur indinjatën ndaj korrupsionit.
“Fitore Pacollit, le të themi, i ka ardhur për shtati kjo situatë. Ajo e ka inskenuar incidentin, ka sulmuar qytetarin dhe i ka kërkuar edhe asistentit të saj ta bëjë të njëjtën gjë. Më pas, është paraqitur si viktimë”, u shpreh Gjini, duke pretenduar se Pacolli ka kryer dy vepra penale: sulm dhe denoncim të rremë.
Opinionistja Afërdita Maliqi e cilësoi protestën si një akt simbolik për të denoncuar korrupsionin, duke e quajtur një “aksion kundër hajnive”.
Në të njëjtën linjë ishte edhe gazetari Ardian Gaxherri, i cili kritikoi reagimin e Pacollit.
“Ata nuk kanë bërë asgjë tjetër përveçse kanë ngritur zërin për një të keqe të saj dhe familjarëve të saj. Në vend që ta pranojë me përgjegjësi, ajo reagon duke thënë se po sulmohet, dhe paraqet veten si ‘guri që nuk thehet’”, tha Gaxherri, duke përmendur edhe një përplasje personale që kishte pasur me deputeten gjatë një komisioni parlamentar.
Analisti Azdren Shala gjithashtu e cilësoi ngjarjen si akt proteste qytetare, duke theksuar se një klimë e tillë përplasjeje është krijuar pikërisht nga Vetëvendosja vetë.
Ngjarja ka ngjallur debat të gjerë, duke rikthyer në qendër të vëmendjes temën e përfitimeve të familjarëve të zyrtarëve shtetërorë dhe sjelljen e përfaqësuesve politikë ndaj kritikave publike.