Kosova
Kryesore

Për të 47-ën herë dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës – Afati i Kushtetueses po afrohet

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka dështuar për herë të 47-të radhazi, duke thelluar krizën institucionale në vend. Në seancën e fundit të thirrur nga kryesuesi Avni Dehari, sërish është hedhur në votim formimi i Komisionit për votim të fshehtë, por propozimi nuk ka marrë mbështetje nga partitë opozitare.

Nga 105 deputetë të pranishëm në sallë, 51 votuan pro formimit të komisionit, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim. Votat e mjaftueshme për të ecur përpara munguan, pasi përveç Lëvizjes Vetëvendosje, partitë tjera refuzuan të marrin pjesë në proces.

Ngërçi institucional rrezikon të thellohet edhe më tej, pasi sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet deri më 26 korrik. Megjithatë, aktgjykimi nuk e qartëson se çfarë pasojash juridike do të ketë nëse ky afat tejkalohet pa u bërë konstituimi.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë që emri i Albulena Haxhiut të hidhet në votim për kryetare të Kuvendit përmes votimit të fshehtë. Opozita e kundërshton këtë mënyrë, duke e cilësuar si antikushtetuese, me argumentin se aktgjykimi kërkon respektimin e praktikave të deritanishme për zgjedhjen e kryeparlamentarit – që tradicionalisht është bërë përmes konsensusit dhe procedurës së hapur.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se në rast se nuk realizohet konstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues, ajo do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim dhe hapa të mëtutjeshëm.

Kriza politike në Kosovë mbetet e hapur, ndërsa vendi rrezikon të futet në një cikël të ri pasigurie institucionale në mungesë të funksionimit të Kuvendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button