Për të 45-ën herë dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Ka dështuar sërish përpjekja për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. As këtë herë nuk është arritur të formohet Komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, hodhi në votim formimin e këtij Komisioni, por votimi u bojkotua nga partitë që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar. Në sallë ishin të pranishëm 93 deputetë – 49 votuan për, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim.
Para nisjes së seancës, edhe sot u zhvilluan aksione simbolike nga shoqëria civile që kundërshtojnë bllokadën e gjatë institucionale.
Lëvizja Vetëvendosje vijon të insistojë në zhvillimin e votimit përmes një procedure të fshehtë, ndërsa partitë e tjera politike këtë metodë po e konsiderojnë në kundërshtim me Kushtetutën.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se deputetët janë të obliguar ta konstituojnë Kuvendin brenda afatit prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, afat që tashmë është duke skaduar.