Për kë punon Albanian Post? Jo për Kosovën

Shkrimi i fundit i publikuar në Albanian Post nuk është as gazetari, as analizë dhe as kritikë e ndershme. Është një pamflet i ulët, i mbushur me cinizëm, fyerje dhe qëllim të qartë për të denigruar njerëz që kanë vendosur të punojnë për kauza kombëtare, për ligjin dhe për të mirën publike. Ky shkrim nuk synon të informojë publikun, por të përçmojë dhe të nëpërkëmbë ata që ende besojnë se Shqiperia dhe Kosova meritojne të mbrohen dhe të ndërtohen me dinjitet.
Autorit i kujtojmë se të tallesh me ata që punojnë për të mirën e vendit nuk është guxim, por është bashkim me narrativat armiqësore. Të quash “figurantë” dhe “dekor” profesorë, juristë dhe qytetarë të angazhuar, ndërkohë që i përshkruan me fjalë që i shërbejnë vetëm përçarjes dhe shkatërrimit të moralit kombëtar, është një akt i shëmtuar dhe i turpshëm. Këto nuk janë thjesht opinione: janë shpifje dhe shërbim ndaj interesave të atyre që, për vite të tëra, kanë synuar të copëtojnë Kosovën dhe të poshtërojnë popullin e saj.
Nuk mund të mos përmend edhe një fakt që vetë e kam përjetuar: në një bisedë ku isha i pranishëm, përballë një analisti politik të mirënjohur, vetë pronari i këtij portali deklaroi hapur:
“Kosova s’ka shpëtim, do të ndahet.”
Ky nuk ishte një mendim i sinqertë, por një pohim që përkon me agjendat e atyre që kanë dashur dhe ende duan të shkatërrojnë themelet e Kosovës dhe Shqiperise. Dhe kur këtë e thotë njeriu që financon një portal, nuk është për t’u habitur që ky portal prodhon vetëm shkrime që denigrojnë çdo përpjekje për t’i dalë zot vendit.
Shkrime të tilla nuk janë të rastësishme. Ato janë të porositura, me vetëdije ose pa vetëdije, për të dekurajuar, për të ulur moralin publik dhe për të krijuar ndjenjën e pafuqisë. Ky autor e ka humbur të drejtën morale për të gjykuar të tjerët, sepse ai vetë u bën fresk axhendave që e kanë kthyer Kosovën në objekt talljeje dhe në shënjestër të copëtimit.
Ju bëj thirrje lexuesve të mos bien pre e këtyre lojërave të ulëta. Ky vend ka nevojë për njerëz që flasin, që veprojnë, që ndërtojnë, e jo për zëra që mbjellin përbuzje dhe dëshpërim. Profesionistët, akademikët, qytetarët e angazhuar nuk janë “dekor”. Ata janë fryma dhe zemra e këtij kombi.
Nëse pronarët dhe autorët e këtij portali kanë zgjedhur t’i shërbejnë interesave që duan ndarjen e Kosovës, është e drejta jonë t’i quajmë me emrin e tyre: ata që sot punojnë kundër nesh dhe kundër atdheut.