Për herë të 43-të dështon konstituimi i Kuvendit – përplasje dhe bllokadë politike në seancë

Përpjekja e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar për herë të 43-të, duke thelluar edhe më tej ngërçin institucional. Në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm 99 deputetë, por vetëm 55 prej tyre votuan pro formimit të komisionit të përkohshëm për votim të fshehtë, i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kjo përpjekje, e përsëritur çdo dy ditë nga LVV-ja, ka për qëllim mundësimin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit përmes votimit të fshehtë, pasi kandidatura e Albulena Haxhiut ka dështuar në mënyrë të njëpasnjëshme të marrë shumicën prej 61 votash.
Seanca u karakterizua nga tensione politike dhe ndërprerje të fjalës së deputetëve të opozitës. Kryesuesi i seancës, deputeti i LVV-së Avni Dehari, ua ndali fjalën përfaqësuesve të partive të tjera, sapo ata nisën të bëjnë kritika ndaj mënyrës së udhëheqjes së seancës dhe qasjes së mazhorancës.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi, kërkoi integritet dhe paanshmëri në drejtimin e seancës, por mikrofoni iu ndal menjëherë me urdhër të Deharit. “Regjia le t’ia ndalë mikrofonin, ju lutem”, u dëgjua të thoshte ai.
Në të njëjtën mënyrë, u ndal edhe fjala e deputetit të LDK-së, Besian Mustafa, i cili kërkoi kthim në “kornizën kushtetuese” dhe i quajti zhvillimet e fundit si “cirk politik”.
Ironi dhe mosbesim shfaqi edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila propozoi Albin Kurtin si anëtar të komisionit për votimin e fshehtë, duke vënë në pah krizën dhe humbjen e besimit në procesin që po ndjek shumica parlamentare.
Përplasjet dhe bllokada politike vazhdojnë, ndërsa Kuvendi mbetet i pakonstituuar edhe pas më shumë se një muaji nga mbajtja e zgjedhjeve.