Pensionistët shqiptarë, më të varfrit në rajon – Në Mal të Zi marrin trefishin

Një shifër tronditëse ekspozon më së qarti trajtimin që kanë pasur pensionistët shqiptarë gjatë 12 viteve të qeverisjes së Edi Ramës.
Në vitin 2013, pensionistët në Mal të Zi merrnin një pension mesatar më të ulët se ata në Shqipëri. Sot, situata është përmbysur plotësisht: pensionistët malazezë paguhen mesatarisht tre herë më shumë se ata shqiptarë, duke përfituar rreth 450 euro në muaj, ndërsa pensionistët shqiptarë vazhdojnë të jetojnë me të ardhura minimale.
Nëse ka një shtresë që është nëpërkëmbur në mënyrë sistematike gjatë kësaj qeverisjeje, janë pikërisht të moshuarit – njerëzit që kanë punuar një jetë të tërë dhe sot mbijetojnë me ndihma minimale.
Për të kuptuar se si trajtohen pensionistët në një shtet me qeverisje të përgjegjshme, mjafton të shohim shembullin e Gjermanisë. Mediat gjermane raportojnë sot se kancelari në largim, Olaf Scholz, ka firmosur një rritje të re të pensioneve, e cila hyn në fuqi më 1 korrik 2025.
Rritja e re do të jetë 3.74%, duke përkthyer në 66 euro më shumë çdo muaj për një pension mesatar prej 1800 eurosh.
Rritjet nuk janë të rastësishme, por pjesë e një politike të rregullt indeksimi. Vetëm në dy vitet e fundit, pensionet në Gjermani janë rritur përkatësisht me 4.57% në vitin 2024 dhe me 4.39% në perëndim e 5.86% në lindje të vendit në vitin 2023.
Krahasimi i këtyre shifrave me realitetin shqiptar është një pasqyrë e qartë e dështimit për të mbrojtur dinjitetin e të moshuarve në Shqipëri.