Pejë: Arrestohet një person për 11 raste të vjedhjeve të rënda, një tjetër në arrati

Policia në Pejë ka njoftuar se më 26 gusht ka arrestuar një person të dyshuar për 11 raste të vjedhjeve të rënda, ndërsa një tjetër person i përfshirë në këto raste është ende në arrati.
Sipas njoftimit, të dyshuarit dyshohet se gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht kanë kryer vjedhje në disa shtëpi dhe lokale në qytetin e Pejës, prej nga kanë marrë para dhe sende të ndryshme.
“Pas një pune intensive nga hetuesit e stacionit policor në Pejë, është arrestuar një i dyshuar i cili, në bashkëveprim me një person tjetër, ka kryer 11 vepra penale të vjedhjes së rëndë. Pas intervistimit, në prezencë të avokatit mbrojtës, me urdhër të prokurorit të shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë.
I dyshuari tjetër është i identifikuar, por ndodhet ende në arrati, ndërkohë që policia po vazhdon punën për kapjen e tij.